image Ekskluzive: Krimet Ekonomike së shpejti në aksion, bastisje e arrestime për keqpërdorim të detyrës zyrtare - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107921

Të shëruar

105549

Të vdekur

2265

Ekskluzive: Krimet Ekonomike së shpejti në aksion, bastisje e arrestime për keqpërdorim të detyrës zyrtare

news image

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorit të Shtetit, njoftojnë se Prokuroria së bashku me Departamentin Special të Policisë së Kosovës për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, kanë filluar përgatitjet për realizmin e aksionit policor, cak i të cilit do të jenë disa zyrtarë publikë, të përfshirë në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe jo vetëm. 

Ky aksion përfshin bastisje në hapësirat zyrtare të komunës (emër i njohur për redaksinë), drejtoritë respektive, si dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, për të cilët tashmë është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i tyre, shkruan Sinjali.

Prokurori kompetent tashmë ka vënë në dispozicion të policisë një listë të gjerë të provave dhe pajisjeve elektronike, që duhet të jenë subjekt i sekuestrimit me rastin e bastisjeve, prova këto që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme hetimore kundër të dyshuarve.

Këto burime konfirmojnë se fokusi i hetimit të realizuar deri më tani nga Prokurori i Shtetit ka të bëjë me çështje që lidhen me drejtorinë e urbanizimit dhe të inspektimit, me theks të veçantë ka në fokus papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit. Mirëpo, ky nuk do të jetë fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.

Në këtë aksion do të marrin pjesë dhjetëra hetues policorë, të asistuar nga Njësia Speciale, ndërsa aksioni do të mbikëqyret drejtpërdrejt nga Prokurori i Shtetit L.V.

Pas përfundimit të aksionit, Sinjali mëson se në selinë e Prokurorit të Shtetit në Prishtinë do të ketë edhe konferencë për media, ku do të jepen detaje lidhur me ecurinë e aksionit, historikun e hetimit, numrin e personave të arrestuar, provat e konfiskuara, dëmin e pretenduar si dhe përfitimet e kundërligjshme që dyshohet se janë realizuar nga zyrtarët e përfshirë në hetim.

Gazeta Sinjali posedon edhe detaje tjera të rëndësishme lidhur me këtë aksion, mirëpo, si çdo herë, për shkak të ndjeshmërisë së hetimit dhe me qëllim që lajmi të mos ketë ndikim negativ në mbarëvajtjen e këtij aksioni, tani për tani nuk do të publikojë më shumë detaje./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin