image Paralajmërohet rritja e mëtejshme e çmimit të karburanteve në Kosovë

Financa

Paralajmërohet rritja e mëtejshme e çmimit të karburanteve në Kosovë

news image

Çmimi i karburanteve është rritur ndjeshëm edhe në Kosovë. Për një litër naftë apo benzinë tashmë duhet paguar edhe disa centë më shumë por që kjo rëndon xhepin e qytetarëve. Madje, çmimi i derivateve mund të rritet sërish. Nëse kjo arsyetohet me lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe situatën e tensionuar Rusi-Ukrainë, qytetarët dhe shoqatat që mbrojnë konsumatorët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit.

Frika nga një pushtim rus të Ukrainës bëri që nafta të tregtohet me 90 dollarë për fuçi në bursa për herë të parë pa shumë vitesh.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se çmimi aktual në Kosovë është më i liri në rajon por paralajmëron se rritja shtrenjtimi i naftës do të vazhdojë e madje mund të jetë edhe në nivele të papara ndonjëherë.

Dihet se çmimin e përcakton bursa dhe organizata prodhuese, sot çmimet sillen përafërsisht në Kosovë 1.23 dizelli deri 1 euro e 30 centë, ndërsa benzina 1.25 deri në 1 euro e 35 centë […] Është duke u rritur çmimi në mënyrë të theksuar, kemi rritje të derivateve të naftës me shumicë çdo ditë 25 dollarë në të, ndërsa me pakicë nuk ka lëvizje që një javë, por kjo nuk është duke ndodhur vetëm në Kosovë por në tërë globin, do të thotë në tregjet ndërkombëtare çmimi po rritet gjithashtu po reflekton edhe tek ne në Kosovë. Çmimet ne i kemi më të lirat në rajon […] Por edhe situata e krijuar Ukrainë-Rusi edhe kjo ka ndikim tek çmimet. Sipas të gjitha gjasave do të ketë rritje ekstreme, por dihet që muajin dhjetor organizata prodhuese OPEC ka thënë se në muajin janar do të stabilizohet tregu, por kjo nuk është duke ndodhur”, është shprehur Berjani.

Rritja e çmimit të karburanteve, që është paraprirë nga rritja e çmimeve të produkteve të tjera është e papërballueshme për qytetarët.

Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” kërkon që shteti të mos mbyllë sytë dhe veshët e t’i përballët rritjes së çmimeve. Ai kërkon që të ndërhyhet me politika fiskale si dhe të ketë monitorim më të madh të kompanive që merren me tregtimin e derivateve.

Naftëtarët kanë qenë të përbetuar vite më parë se nuk fitojnë më shumë se 6,7,8 maksimumi 9 centë për litër dhe nëse diferenca është 9 centë, atëherë ja ku po qëndron problemi. Dikush këtu nuk po e thotë të vërtetën dhe kur dikush nuk e thotë të vërtetën qeveria, Agjencioni i Konkurrencës të gjitha këto të vijnë në veprim[…] Xhepi i qytetarit ka falimentuar, 30 e sa përqind që kanë jetuar në varfëri, tani kanë falimentuar dhe ai tani nuk ka xhep, e ka një pus pafund i cili më nuk zë para. Qeveria duhet ta bëje atë për çka e kemi votuar të na dëgjojë dhe mos të jetojë larg nesh ose në distancë prej nesh, por le ta di se ka qenë dhe akoma është pjesë e popullit, pjesë e sovranit, qytetarit dhe familjes konsumatore. Qeveria duhet të na bind që po bashkëjeton me ne e mos të na bind që po debaton me ne nga distanca, kjo qeveri na duhet”, ka thënë ai.

Qytetarët thonë se rritja është e papërballueshme por i duhet të kontrollojnë në pikat e karburanteve ku është më lirë.

Është ndoshta pak e vështirë, por njeriu duhet të shikojë këto pikat që janë pak më lirë. Është pak e vështirë sepse në disa pika po shkruan 1 e 33 centë, e në disa po janë me lirë, njeriu e përcakton ku është më lirë”, është shprehur ai për KP.

Një tjetër qytetar, Ibrahim Karameta, u shpreh se situata me çmimet po bëhet e papërballueshme duke qenë se ka rritje në të gjitha produktet ndërsa pagat kanë mbetur të njëjta.

Është e vështirë se për jetën tonë edhe xhepin tonë e kosovareve është e vështirë ngritja e çmimit, jo veç e naftës po edhe e produkteve të tjera që janë shtrenjtuar, këto janë të vështira se pagat janë të njëjta qysh kanë qenë, ndërsa çmimet kanë lëvizur me 100% e më shumë”, është shprehur ai.

Pandemia uli çmimin e naftës në nivele rekorde me muajin mars 2020 që tregtohej me 20 dollarë për fuçi në bursa.

/GazetaSinjali/