image Paralajmërohet rënie e çmimit të derivateve deri në 1.40 euro për litër

Sociale

Paralajmërohet rënie e çmimit të derivateve deri në 1.40 euro për litër

news image

Çmimi i derivateve të naftës pak ditë më parë mbuloi kryefaqet e medieve kosovare, duke shkuar deri në 1.82 euro për litër. E kjo rritje e çmimeve e cila u pa si shqetësuese për kosovarët, po pritet që të mbetet në të kaluarën, pasi që thuhet se çmimet janë duke rënë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili tha për Gazetën Sinjali se qytetarët këto ditë po shërbehen me çmime të reja dhe do ketë ulje të çmimit të derivateve deri në 1.40 euro për litër.

Këto ditët në vijim s’ka nevojë të pyetet për rritje të çmimit, por për zbritje të çmimit. Çmimet sillen 1.49 dizeli deri në 1.52. Benzina është 1.40. Qytetarët janë duke u shërbyer me çmime të reja ku dihet se në Kosovë piku më i lartë i derivateve ka qenë 1.82 centë e tash ka zbritur 1.50. Çmimet janë duke rënë”, tha ai për Sinjalin.

Berjani foli edhe për cilësinë e naftës, për të cilën u raportua se në bazë të disa testimeve që i janë bërë, 40% nga mostrat e marra ka dalë të jetë jo konform standardeve dhe udhëzimeve administrative.

Sipas tij, nafta është cilësore dhe gradualisht Kosova do të ketë derivate mjaftueshëm.

Nafta është cilësore në Kosovë, sepse barometri kryesor në Kosovë është qytetari. Trendi është duke treguar se do të ikim nga kriza dhe do të ketë derivate të mjaftueshme. Këto i kemi informata nga importuesit më të mëdhenj shqiptarë nga Shqipëria. Gradualisht Kosova po ikë nga kriza e derivateve të naftës dhe do të ketë derivate të mjaftueshme. Për momentin trendi është në zbritje”, shtoi tutje ai.

Ndryshe, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, ka ndikime negative çdo ditë e më shumë në tregjet ndërkombëtare. Një krizë e tillë e ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, duke sjellë rritjen e çmimeve për shumë produkte, sidomos për ato të derivateve të naftës.

/GazetaSinjali/