Temperaturat e larta që kanë prekur vendin tonë, kanë rikthyer një nga shqetësimet e shpeshta në Kosovë rreth rrezikut për rënien e nivelit të ujit në liqenet akumuluese, si dhe mungesës së sasisë së mjaftueshme të ujit të pijshëm.
Sokol Xhafa, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, thotë për KP se për shkak të temperaturave të larta dhe reshjeve të pakta, nivelet e liqeneve akumuluese nuk premtojnë furnizim të qëndrueshëm për pjesën në vazhdim të vitit.
“Pavarësisht reshjeve të fundit që kanë ndodhur, këto dy ditë që janë temperaturat e larta për fat të keq kanë filluar të ndihen, në ditët që shkuan niveli ka arrit që të mbushet në Badovc për 1.4 metra, kurse në Batllavë për 2.54, ndërsa nëse flasim për vlera relative ne mund të themi se është 6 metër pjesa e Batllavës dhe diku 9.2 metër pjesa e Badovcit, përgjithësisht nivelet e liqeneve nuk është që premtojnë furnizim të qëndrueshëm për pjesën në vazhdim të vitit”, thotë ai.
Xhafa thotë se aktualisht vetëm në Lipjan është paraparë të fillohet me reduktime, derisa nuk e përjashton mundësinë që nëse nuk do të ketë reshje shiu të mjaftueshme, nga java e ardhshme të ketë reduktime edhe në zona të tjera.
“Sa i përket zonës tonë të shërbimit vetëm në Lipjan do të fillojmë me reduktime, jemi duke i bashkërenduar veprimet bashkë me kryetarin e komunës, ndërsa për zonat tjera të shërbimet ende nuk kemi aplikuar reduktime, mungesat që po ndihet të ujit janë në pika të larta, si pasoj e konsumit të madh të ujit, mirëpo reduktime ende nuk kemi filluar. Kjo nuk do të thotë që nuk fillojmë javës tjetër”, thotë ai.
Sa i përket periudhës së pandemisë, ai thotë se borxhet e konsumatorëve gjatë kësaj periudhe kapin shifrën rreth 2 milionë euro.
Ndërsa, sa i përket shkyçjeve nga rrjeti i ujit ai bëri të ditur se gjatë pandemisë, nuk kanë aplikuar shkyçje.
“Situata nuk është e mirë me pagesa, borxhet e akumuluara vetëm në këtë periudhë të pandemisë, janë afërsisht 2 milion euro ndaj kompanisë tonë. Po i lusim dhe po shpresojmë që situata me pandemi të përmirësohet dhe konsumatorët tonë të reflektojnë dhe të paguajnë ujin…Sa i përket shkyçjeve, ne nuk kemi aplikuar shkyçje nga rrjeti i ujit sepse ka qenë një urdhëresa e autoritetit rregullator për ujëra është situatë pandemike dhe nuk lejohet të shkyçim konsumatorët”, thotë ai.
Ai shtoi se keqpërdorimi i ujit është i madh, veçanërisht në këto periudha kur temperaturat janë të larta./Gazeta Sinjali/