Gazi është bërë një nga protagonistët kryesorë në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi duke pasur parasysh kufizimet e vendosura nga Evropa ndaj Moskës, ai është aseti më i fuqishëm me të cilin mund të “luajnë” rusët. Dhe, në këtë linjë, Vladimir Putin ka lëshuar paralajmërimin e tij të fundit.
Vendimi i Brukselit dhe i anëtarëve të G7 për të vendosur çmimet tavan të gazit dhe naftës nuk ka kënaqur Presidentin rus, i cili ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin nëse e zbatojnë këtë vendim.
“Ka detyrime kontraktuale dhe nëse merren vendime politike që kundërshtojnë kontratat, ne nuk do t’i përmbushim ato”, tha Presidenti gjatë fjalimit të tij në Forumin e VII Ekonomik Lindor në Vladivostok.
Këto deklarata vijnë në të njëjtën ditë kur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka ripërsëritur mendimin e saj për aplikimin e një çmimi tavan për gazin në kufijtë e Bashkimit, një vendim që Putin e ka cilësuar si “idiot”.
Ky nuk ka qenë i vetmi paralajmërim i lëshuar nga Presidenti rus gjatë fjalimit të tij në forum. Një tjetër përfshin shkeljen e një pjese të marrëveshjes së vetme të arritur midis dy vendeve që nga fillimi i konfliktit. Bëhet fjalë për paktin që Rusia, Turqia, Ukraina dhe Kombet e Bashkuara kanë arritur për eksportin e drithit.
“Ndoshta duhet të mendojmë se si të kufizojmë eksportin e drithërave dhe ushqimeve të tjera”, tha Putin gjatë fjalimit të tij. Megjithatë, Putin ka treguar se do të konsultohet me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan: “Në fund të fundit, ishim unë dhe ai që krijuam një mekanizëm për eksportin e grurit ukrainas”.
/GazetaSinjali/