image Paralajmërimi i ekspertit të qeverisë amerikane: Koronavirusi mund të rikthehet më i fuqishëm për herë të dytë

Botë

Pandemia/ Paralajmërimi i ekspertit të qeverisë amerikane: Koronavirusi mund të rikthehet më i fuqishëm për herë të dytë

news image

Eksperti kryesor i qeverisë amerikane për sëmundjet infektive paralajmëroi se shpërthimi i tanishëm i koronavirusit mund të bëhet ciklik dhe të rikthehet më i fuqishëm për herë të dytë nëse nuk bëhen përgatitje të mjaftueshme për ta parandaluar.

Ai i bëri komentet të mërkurën gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. 

Dr Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha se provat që virusi mund të bëhet ciklik dhe të rikthehet me stinën po shfaqen në hemisferën jugore.

“A do të kthehet kjo ndoshta në diçka ciklike, sezonale? Gjithmonë kam shprehur mendimin se kjo ka shumë mundësi të ndodhë. Sepse kemi filluar të shohim në Afrikën Jugore dhe në vendet e hemisferës jugore, shfaqjen e rasteve me koronavirus, raste që po shfaqen ndërsa këto zona kalojnë në stinën e tyre të dimrit,” tha eksperti imunolog.

Dr Fauci tha se mundësia e rikthimit të virusit e bën më të rëndësishme se kurrë që studiuesit të vazhdojnë të punojnë për një vaksinë të re, për të qenë të përgatitur:

“Çfarë do të thotë kjo për ne? Kjo thekson nevojën për të bërë atë që po bëjmë në zhvillimin e një vaksine, testimin e saj të shpejtë për ta patur gati për ciklin tjetër. Përveç kësaj, të kemi një listë barnash që kanë treguar se janë të efektshme dhe të sigurta”.

Për shumicën e njerëzve, koronavirusi i ri shkakton simptoma të buta, si ethe dhe kollë që shërohen për dy deri në tre javë.

Tek disa, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme të tjera shëndetësore, ai mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, si pneumoni dhe deri vdekjen.

Koronavirusi i ri vazhdon të përhapet duke sjellë një mbingarkesë në sistemet e kujdesit shëndetësor kudo në botë. /VOA