Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, po e akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po qëndron prapa një ideje për “Shqipërinë e madhe”.
Sipas tij, ky edhe është qëllimi i tij politik përfundimtar, që sipas tij është një ide “fashiste”.
“Kurti konfirmoi me thirrjen e tij të fundit për krijimin e të ashtuquajturës Shqipëri të Madhe se lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë dhe Metohi nuk ka pasur asnjëherë lidhje me të drejtat e njeriut dhe pozitën e pakicës shqiptare brenda Serbisë, por se thelbi i saj është separatizëm i zhveshur“, tha Petkoviq në një deklaratë.
Sipas tij, thirrja e Kurtit për nevojën e lidhjeve më të forta me Shqipërinë është e pakuptimtë pasi që siç thotë ai, nëse vërtetë do mendonte kështu “nuk do ta refuzonte Ballkanin e Hapur”.
“Edhe një herë, ne paralajmërojmë komunitetin ndërkombëtar se para se të jetë vonë, do të qëndrojë në rrugën e ekstremizmit të Albin Kurtit dhe për fillim, do të ushtrojë presionin më vendimtar për të tërhequr falangat e tij nga veriu i Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në gjuhë kërcënuese.
Kujtojmë se përveç gjuhës kërcënuese dhe provokative, serbët në veri kryen sot dy sulme, një në Zveçan e një në Zubin Potok ndaj Qendrave për Regjistrimin e Automjeteve. /GazetaSinjali/