Valdete Bllaca, e stërvitur dhe me profesionin e polices, e kishte paramenduar dhe e kishte përgatitur në përpikmëri skenarin e tragjedisë së djeshme. Vrasjen e prindërve, dy vëllezërve e më pas edhe vetëvrasjen, Valdete Bllaca e kishte planifikuar qysh nga mëngjesi i asaj dite.
Gazeta Sinjali ka mësuar nga burime të sigurta e të afërta me familjen e polices se dyshohet që ditë më parë, ajo i kishte dorëzuar te tezja e saj 12 mijë euro.
Në bisedë e sipër, Valdete Bllaca mësohet se e kishte pyetur tezen se sa do të mund të kushtonte një varrim. Ajo e kishte pyetur tezen se sa kushton një varr sikurse që ajo ia kishte bërë burrit të saj, meqenëse burri i tezes së polices Valdete Bllacës kishte vdekur vite më parë.
Megjithatë, ajo nuk i kishte treguar tezes asnjë detaj se pse po ia linte paratë dhe se ku i kishte marrë ato, raporton Gazeta Sinjali.
Intriguese dhe dramatike ishin edhe lëvizjet dhe sjelljet e fundit të polices Valdete Bllaca përpara se ta vriste babain, nënën, dy vëllezërit e më pas edhe veten. Gazeta Sinjali mëson gjithashtu se personat e fundit që ajo i kishte kontaktuar ishin tezja dhe daja. Kontakti me ta kishte ndodhur vetëm disa minuta para se ajo ta shkrepte armën drejt vetes, në fund të një vrasjeje të katërfishtë.
Tezja me dajen, në ditën tragjike kishin shkuar për vizitë te familja Bllaca, mirëpo te dera i kishte pritur Valdete Bllaca për të mos i lënë të hynin brenda. E shqetësuar, Valdete Bllaca mësohet se u kishte thënë atyre se ata (familja) nuk janë aty dhe se ajo ishte e zënë. Pasi ishin përshëndetur me policen dhe kishin vendosur të largoheshin nga aty, tezja dhe bashkëshorti i saj dëgjuan dy krisma të plumbave kur Valdete Bllaca shkrepi drejt vetes.
Gazeta Sinjali do të sjellë edhe detaje tjera nga tragjedia e djeshme në Gjilan. /Gazeta Sinjali/