Ministrja e Drejtësisë dhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, po e konsideron çështje të interesit nacional që shefi i saj në parti e në qeveri, Albin Kurti, ta takojë e t’ia japë dorën presidentit të vendit, Hashim Thaçit.
Haxhiu e ka pritur mirë ftesën që Kurti ia dërgoi Thaçit për takim, duke thënë se “duhet të ketë koordinim të interesit nacional”.
Në vitin 2016, Haxhiut nuk i kishte pëlqyer aspak një fotografi e përbashkët e anëtarit të atëhershëm të LVV-së, Shpend Ahmetit dhe presidentit Hashim Thaçi. Ajo kishte thënë se Ahmeti nuk duhej ta gjente forcën dhe të mos ia jepte dorën Thaçit.
“Shpendi dukej në siklet në ato fotografi të asaj situate të mbrëmshme. Pra, nuk dukej aspak i kënaqur. Por, mendoj që është dashur ta gjejë forcën e të mos ia japë dorën Thaçit. Ajo përshëndetje e ndihmon Thaçin. Nuk është dashur assesi t’ia shtrijë dorën një krimineli. Thaçi është përgjegjësi kryesor për mjerimin ekonomik, politik e social në Kosovë. Është kriminel e tradhtar”, kishte shkruar Albulena Haxhiu më 13 maj 2016.
Kurti, përmes një letre e ka ftuar Thaçin në takim për t’i koordinuar qëndrimet para konferencës së Mynihut. /Gazeta Sinjali/