Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm rreth “Menaxhimit të mirëmbajtjes së institucioneve publiko-arsimore”, gjendja e shkollave të Kosovës në aspektin e mirëmbajtjes së higjienës nuk është aspak e mirë, dhe kjo po sjellë mungesë të kushteve elementare për zhvillimin e procesit mësimor.
Ndihmësja e Auditorit të Përgjithshëm, Vlora Spanca tha se raporti ka treguar se sfidë për shkollat fillore në Kosovë mbetet mirëmbajtja e higjienës.
“Mirëmbajtja e higjienës mbetet sfidë dhe problem i pa evitueshëm në shumicën e shkollave fillore. Duke përfshirë mjetet sanitare, invertare, dhe pajisjet e shkollave. Po ashtu është raportuar se menaxhimi i mirëmbajtjes së shkollave është jo adekuat edhe tek shkollat e reja fillore. Edhe sipas planit zhvillimor të arsimit 2017-2021 viteve të fundit është fokusuar në rritjen e hapësirave nëpër shkolla, mirëpo sfidë mbetet sigurimi dhe mirëmbajtja adekuate e infrastrukturës, respektimi i mjediseve të shëndetshme”, tha Spanca.
Spanca tha se në bazë të këtij vlerësimi prej gjithsej 18 shkollave të analizuara vetëm 7 prej tyre kanë pasur nivel mesatar të mirëmbajtjes së shkollave fillore, 4 prej tyre kanë arritur nivel minimal, ndërsa në 7 objekte shkollore janë identifikuar mangësi të mëdha në mirëmbajtjen e shkollave.
“Raporti ka nxjerr në pah se institucionet publike nuk kanë siguruar mirëmbajtje në nivel të duhur të institucioneve arsimore dhe për pasojë nuk ofrojnë kushtet elementare për zhvillimin e procesit mësimor. Në tri komunat e audituara në përgjithësi gjendja e shkollave nuk është e mirë, nuk ka mirëmbajtje për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm. Nga 18 objektet shkollore që kemi vlerësuar vetëm 7 prej tyre janë në nivel mesatar dhe më të pranueshëm për zhvillimin e aktivitetit mësimor, 4 objekte mësimore kishin siguruar kushte minimale të mirëmbajtjes por prapë nuk kishin arritur nivel të kënaqshëm, përderisa në 7 objekte shkollore ka identifikuara mangësi të theksuara në furnizim me materiale dhe pajisje higjienike, gëlqerosjen e mureve dhe dezinfektimin e tyre”, tha Spanca.
Udhëheqësja e Departamentit për Auditimin e Performancës, Myrvete Gashi deklaroi se për realizimin e këtij raporti është analizuar periudha shkollore 2017-2018 në komunën e Prishtinës, Ferizajt dhe Vushtrrisë.
Raporti i performancës për “menaxhimin e mirëmbajtjes së institucioneve publike-arsimore” është realizuar në gjithsej 18 shkolla të këtyre komunave, ndërsa janë përzgjedhur këto komuna për shkak të numrit të madh të nxënësve.
“Periudha e auditimit ka qenë 2017-2018, fushëveprimi i auditimit ka përfshirë ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ku në kuadër të saj ka funksionuar komiteti ndërministror…Ndërsa në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës është përfshirë inspektorati sanitar. Sa i përket nivelit lokal ne jemi fokusuar në tri komuna në atë të Prishtinës, Ferizajt dhe Vushtrrisë këtu subjektet e auditimit kanë qenë drejtorit komunale të auditimit dhe inspektoratet sanitare”, tha Gashi.
Ndërsa, anëtarja e ekipit për vlerësim e performancës, Ylfete Osmani tha se raporti ka vënë në pah se ministria e Arsimit ka dështuar të miratojë manualin për mirëmbajtjen e shkollave.
Sipas saj raporti tregon se aktiviteti inspektuese nëpër shkolla është shumë i vogël.
“Në aspektin e sigurimit të mirëmbajtjes dhe kushteve kemi vërejtur se Departamenti i Inspektoratit të Arsimit nuk ka arritur të jap një raport të përgjithshëm për kushtet e shkollave. Dhe nuk ka arritur të zhvillojë një aktivitet inspektues të përgjithshëm në të gjitha objektet shkollore. Domethënë numri i aktiviteteve të inspektimit ka qenë tejet i vogël madje në raport 1 inspektim gjatë një periudhe të gjatë shkollore”, u shpreh Osmani.
Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i mirëmbajtjes së institucioneve publike-arsimore” ka rekomanduar nivelin qendror dhe lokal që hapësira publike të objekteve shkollore të mirëmbahet në vazhdimësi për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm.
Ndërsa për institucionet shkollore ka rekomanduar që të sigurojnë kushte të përshtatshme dhe elementare për zhvillimin e procesit mësimor, të organizoj mirëmbajtjen sezonale dhe rutinore duke shfrytëzuar në mënyrë racionale resurset teknike dhe njerëzore me qëllim të përmirësimit të kushteve për mbarëvajtjen e procesit mësimor. /Gazeta Sinjali/