Papa Françesku ka bërë me dije se do të japë dorëheqjen vetëm nëse gjendja e tij shëndetësore do të përkeqësohet aq sa nuk do të mund të jetë në gjendje të shërbejë.
Deklarata e tij vjen pas përfundimit të udhëtimit të tij në Kanada, ku i kërkoi ndjesë komunitetit indian për diskriminimin e fëmijëve të tyre në shkollë, shkruan BBC.
Papa 85-vjeçar theksoi se për momentin ai synon të vazhdojë detyrat e tij dhe do të udhëhiqet nga Zoti se kur do të japë dorëheqjen.
“Nuk është një katastrofë të ndryshosh Papën, nuk është një tabu”, u tha ai gazetarëve teksa qëndronte ulur në një karrocë me rrota. “Dera për “daljen në pension” është e hapur, është një opsion normal. Por deri më sot nuk kam trokitur në atë derë.
Nuk kam ndjerë nevojën të mendoj këtë mundësi, nuk do të thotë se brenda dy ditësh mund të mos filloj të mendoj për të”, tha Papa.
Gjatë muajve të fundit Papa Françesku ka vuajtur nga probleme të vazhdueshme të gjurit që kanë ndikuar në përditshmërinë e tij. Por më parë ai ka hedhur poshtë spekulimet për sëmundje serioze, kërcënuese për jetën.
“Ky udhëtim ka qenë intensiv”, tha ai. “Nuk mendoj se mund të vazhdoj të udhëtoj me të njëjtin ritëm që kam bërë më herët, në gjendjen në të cilën e kam tani gjurin”. “Kam dy rrugëzgjidhje, ose duhet të tërhiqem nga udhëtimet, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej Kishës, ose duhet të tërhiqem tërësisht nga shërbesa si Papë”, tha Papa.
Nga ana tjetër, Papa Françesku ka dëshirë të vizitojë Ukrainën së shpejti, por fillimisht duhet të këshillohet me mjekët e tij nëse mund të përballojë një udhëtim të tillë.