Siç bën me dije zyra e shtypit të Selisë së Shenjtë, një autoambulancë e dhuruar dhe bekuar nga Papa Françesku është rrugës për në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv.
Kardinali Konrad Krajewski po shkon sërish në Ukrainë për të ndihmuar njerëzit me ndihmë për të shpëtuar jetën, këtë herë duke dërguar një ambulancë të dhuruar nga Papa Françesku dhe e bekuar prej tij të shtunën në mëngjes para se të nisej, shkruan vaticannews.
Kardinali, i cili drejton Zyrën e Bamirësisë Papale, po udhëton për në Lviv, Ukrainë, me “një ambulancë të dhuruar dhe bekuar nga Papa Françesku ditët e fundit“, u tha gazetarëve drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.
Automjeti do t’u jepet autoriteteve të qytetit, të cilët do ta vënë në shërbim në zonat që kanë më shumë nevojë.
Ambulanca e dhuruar shënon një shenjë konkrete ndihme për popullatën ukrainase e cila po përballet me një tmerr të vërtetë.