image Pandemia goditi rënd turizmin, bie për 70 për qind numri i turistëve të huaj

Financa

Pandemia goditi rënd turizmin, bie për 70 për qind numri i turistëve të huaj

news image

Pandemia COVID-19 ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e turizmit në Kosovë. Edhe pse Kosova si vend atraktiv për turistët e huaj, pandemia ka bërë që numri i tyre të bie përreth 70 për qind.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti deklaron se me lehtësimin e masave ka filluar të rikthehet një gjallëri në sektorin e turizmit, megjithatë sipas tij prapë nuk është trendi si ka qenë para pandemisë.

Si do që të jetë ka filluar që të kemi një numër të konsiderueshëm të vizitorëve të cilët kryesisht po i preferojnë vendet e Kosovës që janë vendet malore. Pra, vendet siç është Rugova, Deçani, Juniku dhe në vendet ku kanë më shumë të zhvilluar turizmin malor”, tha ai për KP.

Hoti po ashtu thotë se këtë vit numri i turistëve ka shënuar rënie të madhe krahasuar me dy vjet më parë, më 2019.

Ai theksoi se 70 për qind ka rënie të numrit të vizitorëve në krahasim me vitin 2019.

Prej pandemisë nuk ka një numër të konsiderueshëm, kemi diku rreth 70 për qind rënie të numrit të vizitorëve në krahasim me vitin 2019, por si do që të jetë në këtë kohë pandemie gradualisht kemi filluar edhe me promovime, ku kemi realizuar takime me operatorët ndërkombëtarë”, u shpreh ai.

Qeveria ka në prioritet zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë, ku sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari investimet janë të nevojshme, meqë Kosova nuk ka ende akomodim të mjaftueshëm për turistët.

Në planin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është përfshirë edhe resori i Brezovicës, por nuk do të mbetemi vetëm në Kompleksin e Brezovicës, do të shikojmë të gjitha potencialet që Kosova i ka për zhvillimin e turizmit. Ne së pari të bëjmë edhe infrastrukturën akomoduese për të investuar edhe në infrastrukturën e resorëve turistik, duke përfshirë turizmin malor, turizmin rural, turizmin pse jo edhe të artizanaleve, pse mos të lidhemi bashkë me gastronominë me verën e bukur të Rahovecit e të Suharekës që kemi”, u shpreh ajo.

Hoti tregon se çka ofron kryeqyteti për turistët e huaj dhe çka mungon rreth këtij sektori.

Sipas tij në Prishtinë monumentet e trashëgimisë kulturore, objektet e kultit dhe Biblioteka Kombëtare mbeten vendet më të vizituara nga turistët e huaj.

Prishtina, edhe pjesa e guidave kryesisht punojnë me grupe të organizuara që bëjnë edhe vizitat sidomos tek objektet e kultit, monumenteve të trashëgimisë kulturore, siç janë xhamitë, muzeu etnologjik, muzeu kombëtar,  pastaj pjesa e katedrales e cila tashmë vizitohet, ku shihet e gjithë Prishtina. Por, pa anashkaluar edhe Bibliotekën Kombëtarë, Newborn, dhe vendet e tjera. Njëkohësisht, Prishtina shquhet për jetën e natës”, tha ai.

Ndryshe, Kosova nuk ka ligj për turizmin dhe strategji për zhvillimin e saj. Deri tash asnjë qeveri nuk ka të ndarë më shumë se 10 mijë euro për turizëm, derisa vendet e rajonit ndajnë miliona euro.

/GazetaSinjali/