image Pandemia dhe zgjedhjet shtyjnë regjistrimin e popullsisë

Kosovë

Pandemia dhe zgjedhjet shtyjnë regjistrimin e popullsisë

news image

Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, i paraparë të mbahet gjatë këtij viti, do të realizohet në vitin 2022, thotë Avni Kastrati, drejtor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti, regjistrimi optimal do të ishte në muajin prill 2022, por ende nuk është vendosur data e saktë”, thotë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Avni Kastrati.

Sipas të dhënave të ASK-së, popullsia e përgjithshme rezidente në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë.

Shtyrjen e regjistrimit të popullsisë e vlerëson vendim të gabuar Ibrahim Ramadani, profesor në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës.

Ai thotë se me vetë faktin se në kohë pandemie po lejohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, regjistrimi i popullsisë nuk mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.

“Vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, si mund të ndahen mjete për komuna pasi numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit qeveritar në nivel lokal. Një shkollë për të ndërtuar nuk mundesh pa e ditur potencialin demografikë”, thotë ai.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011. Nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë ( Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Por, në zgjedhjet e ardhshme, Avni Kastrati thotë se “ka një vullnet për pjesëmarrje” nga banorët e katër komunave serbe.

Mundësinë e përfshirjes në procesin e regjistrimit të banorëve në komunat serbe, nuk e mohon dhe as pohon Adriana Hoxhiq, nënkryetare e Mitrovicës së Veriut. Ajo në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se procesi i regjistrimit është çështje politike.

Sa i përket regjistrimit të popullsisë, ky është proces politik dhe nuk varet nga komuna, duhet të merret një vendim nga niveli i lartë, pa precizuar se kush e përbënë nivelin e lartë. Siç merret vendimi në nivelin e lartë, ashtu do të bëhet zbatimi në nivelin lokal”, thotë Hoxhiq.

Por, institucionet shtetërore të Kosovës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar duhet të gjejnë mënyra që edhe qytetarët që banojnë në komunat serbe duhet të regjistrohen, sepse në këtë mënyrë mund të dihet numri i saktë i qytetarëve në territorin e Kosovës, thotë Ibrahim Ramadani.

Normalisht, duhet të gjenden forma se si të depërtohet. Duhet të gjenden regjistrues vendorë, të gjendet bashkëpunimi në atë pjesë dhe të përfundojë procesi i regjistrimit”, thekson ai.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë, pritet të punësohen rreth 2.500-7.600 regjistrues, rreth 350-400 mbikëqyrës, si dhe rreth 40-50 trajnues-instruktorë.

Kostoja e përgjithshme e regjistrimit llogaritet të jetë 12 milionë euro apo rreth 6.5 euro për person.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit, si Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi, regjistrimi i popullsisë është realizuar në vitin 2011./Gazeta Sinjali/