image Pandemia COVID - 19: Hoti apelon për kujdes që të evitohet mbyllja totale

Shëndetësi

Pandemia COVID – 19: Hoti apelon për kujdes që të evitohet mbyllja totale

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka apeluar te qytetarët për kujdes maksimal, në mënyrë që Kosova të mund të përballojë valën e dytë të pandemisë COVID-19 dhe të evitohet mbyllja totale, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë alarm Hoti e ndezi pasi që numri i rasteve të reja me koronavirus ditëve të fundit për 24 orë, është shifër treshifrore dhe dyfish më i lartë se numri i të shëruarve.

I pari i ekzekutivit thotë se institucionet po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por kërkon që qytetarët të kenë kujdes maksimal dhe solidaritet të plotë për të evituar mbylljen totale.

“1. SHSKUK ka planin për aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale regjionale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës.

2. Janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në regjione.

3. IKSHPK ka ngritur struktura rajonale të inteligjencës për të identifikuar vatrat infektive.

4. Në shkolla ka kontroll të shtuar.

5. Po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse.

6. Janë aktivizuar inspektoratet përkatëse për të mbikëqyrë zbatimin e masave.

7. Në baza të rregullta javore po koordinohemi me partnerët ndërkombëtarë që janë duke na mbështetur në përballimin e situatës”, ka shkruar ndër të tjera Hoti në Facebook, duke apeluar sërish për kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve.

“Duhet të kemi mirëkuptim për të evituar të gjitha tubimet publike të çfarëdo natyre, ashtu siç rekomandohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/