image Pamjet e personave të armatosur dhe të shtënave në Veri, Gjuriq e quan inskenim të shqiptarëve

Politikë

Pamjet e personave të armatosur dhe të shtënave në Veri, Gjuriq e quan inskenim të shqiptarëve

news image

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, pretendon se video e publikuar nga “Istraga”, ku shihen persona të maskuar në veri të Kosovës të cilët kanë shtënë edhe me armë zjarri është “inskenim” i shqiptarëve.

Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po investon shumë për përhapje të propagandës.

“Rrëfimi për “Serbinë e keqe, Vuçiçin e keq, dishepullin e Putinit, Stalinit dhe Ivanit të Tmerrshëm” dhe video të lira- false në të cilat “militantët serbë” flasin me një theks të fortë shqiptar. E gjithë kjo, Në fakt, duket mjaft vulgare. Sikur të përdornin të paktën një të katërtën e energjisë së tyre për të zgjidhur problemet në vend që t’i krijonin ato,” tha Gjuriq.

Mbrëmë është publikuar një video ku shihen disa persona të maskuar në veri të Kosovës.

Sipas pamjeve të siguruara nga Istraga, vërehet se këta të maskuar shtënë me armë dhe bërtasin duke thënë se janë kthyer, duke aluduar për Kosovën.

“Njerëz të maskuar të armatosur me automatikë janë filmuar sonte në veri të Kosovës. Në sfond dëgjohen të shtëna armësh, ndërsa burra të panjohur bërtasin duke thënë se ‘U kthyem. Kosova është Serbi, Krimea është Rusi’. Për Istraga është konfirmuar se të shtënat e armëve janë dëgjuar pranë vendit të regjistrimit”, thuhet në përshkrimin e videos që ende nuk është konfirmuar se ku ka ndodhur.

/GazetaSinjali/