Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për aksionin e Njësisë së Antidrogës në disa lokacione në Prishtinë, që rezultoi me dhjetëra kilogramë drogë të sekuestruar. Kjo është konfirmuar edhe nga Policia.
Në një njoftim të PK-së thuhet se është arrestuar një person lidhur me këtë rast, te i cili është gjetur droga. I njëjti është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Sot më 13.10.2022, në koordinim me prokurorin kujdestar dhe pasi është pranuar urdhëresa nga gjykatësi i procedurës paraprake, është bërë kontrollimi i një lokacioni në Prishtinë ku dyshohej se mund të gjendej lëndë narkotike.
Në ora 13:10, njësitet përkatëse policore kanë filluar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit: A.D., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar). Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Dëshmitë e hasura në vend-ngjarje janë fotografuar nga njësia e forenzikës dhe janë tërhequr nga aty.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe me akt-vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.”