Evropa Perëndimore vazhdon të përballet me vërshimet që u morën jetën rreth 120 personave, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë personave të pagjetur.
Shumica e viktimave janë nga Gjermania, vendi më i goditur nga përmbytjet vdekjeprurëse.
Vetëm në Gjermani, 103 persona kanë vdekur pas përmbytjeve të mëdha, shifra më e lartë e vdekjeve në këtë shtet nga një katastrofë natyrore ndër vite.
Ekipet emergjente po vazhdojnë kërkimet për mbi 1 mijë e 300 persona të zhdukur.
Komunitete të tëra janë shkatërruar pasi ujërat e rrëmbyer të lumenjve përmbytën qytete dhe fshatra në shtetin gjerman Rhine-Palatinate.
Për Gjermaninë ky është numri më i madh i vdekjeve të shkaktuara nga një katastrofë natyrore, që nga vërshimet vdekjeprurëse të Detit të Veriut më 1962 kur kishin humbur jetën 340 persona. /GazetaSinjali/