image Pamje nga shpërthimi afër aeroportit të Kabulit

Botë

Pamje nga shpërthimi afër aeroportit të Kabulit

news image

Një shpërthim ka ndodhur jashtë aeroportit të Kabulit, ende nuk është e qartë nëse ka pasoja, këtë e konfirmoi Pentagoni.

 “Ne mund të konfirmojmë një shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit. Ende nuk dihet për viktima të mundshme. Kur të mundemi do të ofrojmë informacione shtesë”, ka shkruar zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby në një postim në “Twitter”.

Më herët Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.

Më shumë se 82,000 njerëz janë nxjerrë tashmë me aeroplanë nga Kabuli, i cili ka rënë në duart e talebanëve më 15 gusht.

Mijëra njerëz janë ende duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, me shpresën se do të mund të largohen.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kabul i këshilloi qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimin në aeroport dhe tha se ata që tashmë janë në portat e tij, duhet të largohen menjëherë, për shkak të “kërcënimeve të sigurisë”.

Zyra e Jashtme britanike lëshoi një këshillë të ngjashme, duke u thënë njerëzve pranë aeroportit që “të largohen në një vend të sigurt”. Ajo tha se ekziston një “kërcënim i vazhdueshëm dhe i lartë i sulmit terrorist”.

Biden ka përmendur kërcënimet terroriste nga dega rajonale e grupit militant Shteti Islamik si arsye për mbajtjen e këtij afati.

Dega e Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan ka qenë përgjegjëse për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në këto vende, viteve të fundit.

Derisa trupat perëndimore po punojnë brenda aeroportit për evakuimin e qytetarëve, luftëtarët talebanë po ruajnë perimetrin e jashtëm.

/GazetaSinjali/