image Palmeri i thotë Osmanit se SHBA-ja do të koordinohet me BE-në për dialogun

Politikë

Palmeri i thotë Osmanit se SHBA-ja do të koordinohet me BE-në për dialogun

news image

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti sot takim virtual me Zëvendës Ndihmës Sekretarin në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor në DASH, Matthew Palmer.

Me këtë rast, siç njofton kumtesa nga presidenca, Palmer i përcolli urime Osmanit për rezultatin në zgjedhjet parlamentare  të mbajtura me 14 shkurt duke potencuar rëndësinë e themelimit të institucioneve duke reflektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Osmani, njofton kumtesa, theksoi që fokusi aktual është pikërisht në themelimin e institucioneve pa vonesa në mënyrë që të evitohen krizat institucionale e kushtetuese dhe të kemi institucione të cilat reflektojnë vullnetin e qartë qytetar. Moszvarritja e procesit të certifikimit të rezultateve është tejet me rëndësi, theksoi u.d. Presidentja, në mënyrë që sa më parë të kemi institucione funksionale që urgjentisht merren me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Ajo gjithashtu ka potencuar se qytetarët e Kosovës kanë votuar koalicionin fitues duke u bazuar në prioritetet e përcaktuara që fokusohen në luftimin e krimit e korrupsionit dhe krijimin e vendeve të punës e perspektivës për të rinjtë.

Ajo shtoi se për shkak të pandemisë, sigurimi i vaksinave të mjaftueshme për qytetarët dhe menaxhimi i pandemisë e ringritja ekonomike duhet të jenë prioritete të institucioneve të reja.

Përderisa Palmer, u dakordua me Osmanin që institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, në ringritjen ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës, ai njëkohësisht theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv në dialog, ngaqë kjo do të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon.

Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, u.d. Presidentja tha se në Kosovë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë qasja e qartë e Presidentit Biden se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke, ndërkaq shtoi se institucionet e Kosovës duhet të flasin me një zë, e në këtë kontekst përmendi rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën e me shoqërinë civile si dhe koordinimin e vazhdueshëm me aleatët tanë.

Nga ana tjetër, Palmer konfirmoi që në procesin e dialogut, SHBA-ja do të jetë e përfshirë si partnere dhe duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian. Gjersa, theksoi që SHBA-ja mbetet aleate e përhershme e popullit të Kosovës.

Palët diskutuan edhe për situatën pandemike në Kosovë. U.d. Presidentja Osmani falënderoi Palmerin për ndihmën financiare të ofruar nga SHBA-ja, sidomos në iniciativën COVAX, nëpërmjet së cilës pritet që Kosova të sigurojë pjesën e parë të vaksinave. /Gazeta Sinjali/