image Presidentja Osmani sot takohet me Palmer dhe Lajçak

Politikë

Presidentja Osmani sot takohet me Palmer dhe Lajçak

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që sot të takojë Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Matthew A. Palmer, mëson Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se takimi pritet të mbahet rreth orës 15:30. Takimi do të mbahet pa prani të mediave.

Arsyeja e vizitës së tyre treditore, merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë ditës Palmer e Lajçak u takuan me partitë opozitare LDK dhe PDK, ndërkaq nesër, bashkë do të mbajnë një konferencë për media. Takimi me kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë ende nuk dihet kur do të zhvillohet.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmer në Kosovë do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe në Kosovë është kërkuar që të ketë një angazhim më të madh amerikan në dialog.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit./Gazeta Sinjali/