image Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në të

Politikë/ Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në të

news image

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se Rusia dëshiron që ky rajon të jetë “i përçarë, kundër vetes dhe me një element kaosi në të”.

Në një intervistë për REL, Palmer tha se SHBA-ja është e shqetësuar për qëllimet dhe aktivitetet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, rusët duan që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë, ku ata “mund të çojnë poshtë-lart nivelin e tensioneve”.

Palmer është emëruar i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit të kaluar.

Pak muaj më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell ka realizuar disa vizita në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i shtyrë palët drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Palmer, në një intervistë për një televizion të Serbisë në muajin dhjetor, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë.

Prishtina dhe Beogradi “duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”, ka thënë atëbotë Palmer. /Gazeta Sinjali/