I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë fjalës së tij në “Forumin e Prespës” u shpreh se liderët e rajonit duhet të jenë më konkretë në realizimin e objektivave ekonomike dhe politike, transmeton Gazeta Sinjali.
Palmer tha se ShBA i mbështet nismat e Bashkimit Evropian për të përkrahur vendet e rajonit, por u shpreh i zhgënjyer që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të nisnin negociatat për anëtarësim.
“Duhet të marrin masa, duhet të ushtrojnë presion për të realizuar dhe zgjidhur çështjet politike në nivel të brendshëm dhe jashtë vendit, për të fuqizuar demokracitë e tyre”, u shpreh ndër të tjera Palmer, raport Euronews Albania.
Në forumin e sotëm marrin pjesë edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Tema e diskutimit është ‘Ballkani Perëndimor, Puzzle i munguar për plotësimin e Evropës’ dhe përqendrohet në nëntë pika, përfshirë rolin e BE-së në botë, demokracinë evropiane, vlerat, të drejtat, sundimin e ligjit, sigurinë, migrimin, ndryshimin e klimës, mjedisin dhe shëndetin./Gazeta Sinjali/