Zëvendës ndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, sot do ta vizitojë Kosovën.
Gazeta Sinjali merr vesh nga burime të sigurta se Palmer, përveç takimit të paralajmëruar me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, do ta takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.
Siç mëson Gazeta Sinjali, SHBA përmes Palmerit do të kërkojë nga autoritetet kosovare që të angazhohen për rifillimin e dialogut me Beogradin zyrtar më së largu deri në muajin mars 2020, para fillimit të ciklit të zgjedhjeve në Serbi.
Më 30 gusht, sekretari amerikan, Mike Pompeo kishte emëruar Metthew Palmerin si përfaqësues special të tij për Ballkanin.
Palmer pritet të luajë rol kyç në dialogun Kosovë–Serbi i cili është pezulluar për shkak të taksës së vendosur nga Kosova për produktet që vijnë nga Serbia. /Gazeta Sinjali/