image Emisari amerikan për Ballkanin, Palmer anulon vizitën në Serbi

Kosovë

SHBA/ Emisari amerikan për Ballkanin, Palmer anulon vizitën në Serbi

news image

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka anuluar pjesëmarrjen në Forumin e Sigurisë në Beograd (BSF), i cili do të mbahet nga data 16 deri më 18 tetor.

Palmer ishte paralajmëruar se do t’u drejtohej pjesëmarrësve me rastin e hapjes zyrtare të Forumit të Sigurisë në Beograd, të enjten, më 17 tetor, me temën “Zgjidhja e qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor”.

Forumin i Sigurisë është pyetur nga Koha Ditore pse Palmer ka hequr dorë nga pjesëmarrja, por është thënë se ai nuk ka dhënë ndonjë arsye specifike.

“S’ka arsye. Ne thjesht jemi informuar se ai nuk do të vijë dhe se do të zëvendësohet nga zëvendësi i tij”, ka thënë Marko Savkoviq, drejtor i Programit në Forumin e Sigurisë. Zëvendës i Palmerit është David Kostelancik.

Në hapjen zyrtare, siç është paralajmëruar nga organizatori, do të flasë diplomatja gjermane e ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, Suzanne Schutz, ish-përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Sigurisë të BE-së, Catherine Ashton, si dhe ish-ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni.

Normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë temë diskutimi në edicionin e sivjetmë të Forumit.

Edicionet e kaluara kanë qenë ftuar zyrtarë, deputetë të parlamenteve nga Kosova e Serbia, për të folur rreth dialogut dhe normalizimit. Por sivjet organizatori ka vendosur të mos i ftojë ata. Drejtori i Programit në BSF, Savkoviq, ka thënë se “duke parë rezultatet e dobëta të palëve negociuese morëm vendim që të mos u jepet hapësirë politikanëve, por t’i ftojmë ekspertët që merren me këtë çështje”. /Gazeta Sinjali/