Vendimi që ka marrë Pal Lekaj gjatë mandatit të tij si ministër i Infrastrukturës, obligon secilin qytetar që përfshihet në aksidente trafiku ta dërgojë veturën sërish për homologim. Lekaj nuk i ka informuar qytetarët se pavarësisht nëse janë viktimë apo shkaktar të aksidentit, në rast se mbeten tarifat e njëjta të homologimit, do t’i paguajnë 125 euro në Qendrën për Homologimin e Automjeteve të Kosovës (QAK).
Sinjali ka publikuar këtë vendim të Pal Lekajt dhe e ka pritur më shumë se 10 ditë një përgjigjje prej tij. Sot, kur Lekaj e hapi telefonin, pasi e dëgjoi pyetjen lidhur me këtë çështje ai e ndali menjëherë. Më pas nuk i është përgjigjur as thirrjes së dytë telefonike.
Pal Lekajt po i shkon për shtati motoja e partisë së tij (Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), “100%” kur është fjala për Devollët.
“100% mbështetje”, Lekaj i ka dhënë kompanisë “Eurolab” QAK shpk më datën 17 janar 2019, kur firmosi vendimin që varfëron xhepin e qytetarëve e që i pasuron edhe më shumë vëllëzërit e njohur nga Peja, Devolli.
Vendimi i Pal Lekajt obligon që në bazën qendrore të të dhënave të Policisë së Kosovës të evidentohen të gjitha mjetet rrugore të përfshira në aksidente trafiku, pavarësisht llojit dhe dëmit të aksidentit.
Vendimit të Lekajt i ka asistuar edhe Policia e Kosovës. Drejtori Rashit Qalaj, më 21 qershor 2019 ka firmosur “memorandum bashkëpunimi” me Ministrinë e Infrastrukturës, ku pajtohen që vlefshmëria kohore e kësaj marrëveshje të jetë në afat të pacaktuar. Kjo nënkupton zgjerimin e monopolit të “Eurolab”, për çka kanë dalë kundër publikisht zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasadori gjerman Christian Heldt.
Sinjali ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon gjatë ditës së mërkurë.
Vetëm në 24 orët e fundit kanë ndodhur 52 aksidente në Kosovë. Nëse kalkulojmë këtë numër të aksidenteve me çmimin e homologimit që është 125 euro, i bie që “Eurolab” vjelë nga qytetarët e aksidentuar hiç më pak se 6500 euro në ditë, shifër kjo që varion varësishtë prej numrit të aksidenteve.
Të gjitha rreth kësaj teme mund ti lexoni duke klikuar KËTU:
Sinjali do të vazhdojë hulumtimin e kësaj teme./Sinjali/