COVID-19

Të infektuar

5118

Të shëruar

2370

Të vdekur

108

Monopol/ Devollët të “paprekshëm”, u asiston edhe Policia

news image

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në vend që t’i jap fund monopolit të Devollëve dhe të hap tregun e homologimit të veturave në Kosovë, ai ka punuar që ta varfërojë xhepin e qytetarëve, për t’i sjellë edhe më shumë të hyra Qendrës për Homogimin e Automjeteve të Kosovës (QAK). E gjithë kjo u bë gjatë mandatit të tij qeverisës.

Vendimi i datës 17 janar 2019 i marrë nga ministri Lekaj, obligon që të evidentohen në bazën qendrore të të dhënave të Policisë së Kosovës të gjitha mjetet rrugore të përfshira në aksidente trafiku, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dëmit.

Ky vendim, në momentin e jetësimit të tij të plotë, detyron secilin qytetar i cili përfshihet në aksident trafiku që veturën e tij ta dërgojë sërish për homologim, pavarësisht nëse ka qenë viktimë apo shkaktar i aksidentit.

Për të mos u mjaftuar me kaq, në shërbim të këtij vendimi të dëmshëm për xhepin e qytetarëve dhe përfitues vetëm për kompaninë “EuroLab”, më datën 21 qershor 2019, u vu në shërbim edhe Policia e Kosovës, e cila firmosi memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për ta jetësuar këtë vendim.

Për dallim prej herëve tjera, Memorandumi i bashkëpunimit i firmosur mes Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, kësaj radhe rezulton se është bërë brenda dyerve të mbyllura dhe larg syve të mediave e qytetarëve. Por, pavarësisht kësaj, pasoja e këtij vendimi dhe e memorandumit të bashkëpunimit tani e tutje do të vërehet te kuleta e qytetarit, ngase secila veturë e aksidentuar (lehtë apo rëndë), së pari duhet ta marrë “bekimin” nga kompania e Devollëve, e tek pastaj të vihet për qarkullim. Për këtë “ bekim”, në rast se mbeten tarifat e njëjta,  shoferët e veturave do të detyrohen ta paguajnë “EuroLabin”, hiç më pak se 125 euro.

Ironia e kësaj marrëveshje shkon deri në pikën kur dy palët (MI dhe PK), pajtohen që vlefshmëria kohore e kësaj marrëveshje të jetë në afat të pacaktuar.

Ka një muaj që Sinjali po merret me trajtimin e kësaj teme, por duket se Pal Lekaj është i zënë me përgatitjet për fushatën zgjedhore, prandaj nuk po i përgjigjet Gazetës për “dhuratën” që ua bëri qytetarëve të Kosovës, pak para largimit nga posti i ministrit. Arsyeja e mospublikimit deri më tani ishte pritja për marrjen e një përgjigje nga Pal Lekaj.

Kompania “EuroLab” QAK shpk që nga viti 2009 ka monopol në fushën e homologimit të veturave në Republikën e Kosovës.

Me vendimin e fundit të MI-së, të cilit i është vënë në shërbim edhe Policia e Kosovës, i është hapur rruga për zgjerimin e monopolit edhe për veturat e aksidentuara.

Veturat e aksidentuara do të hyjnë në “ueb servis”, sistem online i dizajnuar vetëm për këtë punë, ndërmjet Policisë dhe Ministrisë së Inrastrukturës. Siç, mëson Sinjali dy institucionet janë “në pritje të unifikimit të këtij sistemi”.

Sidoqoftë, marrëveshja parasheh se veturat nuk rikthehen në qarkullim “pa u inspektuar nga QAK-u”: “Obligohet Qendra e Automjeteve të Kosovës që përkitazi me procedurat e përshkruara në legjilacionin në fuqi, të ndërrmerr veprime që parandalojnë rikthimin në qarkullim rrugor të mjeteve të riaftësuara (riparuara), pa u inspektuar sipas praktikave europiane përkitazi me nenin 27 të ligjit 05/L-123 dhe neni 16 të udhëzimit administrative nr.02/2018 për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homolgim të mjeteve rrugore”, thuhet në marrëveshjen që e posedon Sinjali.

Shihni marrëveshjen e plotë:

Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të marrë informacion se a kanë evidentuar veturat e aksidentuara si dhe për ecurinë e zbatimit të marrëveshjes, por ata kanë kthyer përgjigje shabllon.

“Të gjitha aksidentet që ndodhin në trafikun rrugor në Republikën e Kosovës evidentohen në sistemin e të dhënave të Policisë së Kosovës, sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Rikujtojmë se kundër monopolit të Devollëve kanë dalur edhe ndërkombëtarët. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, shkruante se nuk po arrinë ta kuptojë logjikën e homologimit për veturat që vijnë në gjendje të rregullt nga Europa.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provon ta kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE’në??”, thuhet në reagimin e Heldt.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, shkruante se monopoli bie ndesh me parimet e konkurrencës së drejtë dhe praktikave të BE-së.

“Për momentin për shkak të këtij udhëzimi administrativ, është vetëm një kompani që i bën kontrollet e homologimit. Së pari, ky është monopol në treg, që bie ndesh me parimet e konkurrencës së drejtë dhe është kundër acquis communautaire [legjislacion të BE-së] tonë.

Së dyti, është edhe më shqetësuese fakti që të gjitha këto kontrolle kryhen vetëm në Prishtinë dhe kushtojnë 125 euro. Pra, qyetarët duhet të udhëtojnë nga e tërë Kosova në Prishtinë për ta bërë kontrollimin këtu, që nuk është praktikë askund gjetiu në botë.

Së treti, që gjithashtu është mjaft tronditëse, është fakti që edhe nëse keni certifikatë evropiane për konformitet, që është për një veturë të re të cilën e importoni në Kosovë, qytetarët janë përsëri të obliguar që ta bëjnë homologimin. Pra, certifikatat evropiane të lëshuara nga Gjermania, Franca, Italia, etj, nuk njihen”, shkruante Apostolova.

Por, këto thirrje hasën në vesh të shurdhër dhe askush nga qeveritarët deri më tani nuk u mor me këtë punë, përveç, Pal Lekajt që vazhdon ta favorizojë “EuroLab-in”.

Sinjali do të vazhdojë hulumtimin e kësaj teme./Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: