image Pak shpresa që kosovarëve mund t’iu liberalizohen vizat gjatë vitit 2021

Kosovë

Pak shpresa që kosovarëve mund t’iu liberalizohen vizat gjatë vitit 2021

news image

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në një bashkëbisedim me Gazetën Sinjali ka folur rreth stërzgjatjes së procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët. Ajo thekson se çështjen vazhdojnë ta bllokojnë Franca dhe Holanda.

Von Cramon thekson se fatkeqësisht, procesi i liberalizimit të vizave është bllokuar nga disa shtete anëtare në Këshillin Evropian, ani pse disa herë është thënë se Kosova ka përmbushur kriteret. Sipas saj, gjasat janë të vogla që këto shtete të binden.

Pak shpresa për liberalizimin, Franca e Holanda skeptike

“Për gati tre vjet tani nuk i takon Komisionit ose Parlamentit Evropian të vendos për këtë. Të dy institucionet e BE-së kanë dhënë dritë jeshile për regjimin e vizave në Kosovë. Por është sigurt punë e mençur të bindësh vendet anëtare më skeptike në BE si Franca ose Holanda me një program ambicioz të reformës, që jo vetëm ratifikohet por gjithashtu zbatohet dhe funksionon. Kjo është kryesisht e vërtetë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Von Cramon.

Demush Shasha në anën tjetër nga Instituti EPIK, thekson se gjasat që çështja e liberalizimit të vizave të ketë çfarëdo lëvizje gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021 janë të pakta.

“Jo sepse Portugalia nuk do ta mbështesë këtë çështje, por sepse një; ne nuk i kemi bindur disa shtete skeptike se e kemi njëmend luftën kundër korrupsionit, dhe dy; sepse lëvizja e lirë vazhdon të jetë çështje delikate brenda BE-së, në veçanti nën rrethanat e imponuara nga pandemia”, thotë Shasha.

Franca dhe Holanda mbesin shtetet të cilat e pamundësuan liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë presidencës gjermane të Bashkimit Evropian, e cila mbaroi më 31 dhjetor. Më 1 janar, presidencën e BE-së e mori Portugalia.

Komisioni Evropian aktualisht vazhdon të mbetet në qëndrimin e njëjtë, që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe mban në fuqi rekomandimin për liberalizimin e vizave. PE-ja, përsërit mbështetjen për liberalizim vizash për Kosovën dhe ka kërkuar nga Këshilli që vendimi për këtë të merret sa më shpejtë.

Von Cramon: Shpresoj në një situatë politike sa më të qëndrueshme

Në anën tjetër Von Cramon, për Gazetën Sinjali ka folur edhe për çështjet politike aktuale, përfshirë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe dialogun me Serbinë.

“Së pari, për shkak të kohërave të koronavirusit, është e rëndësishme të minimizohet rreziku i infektimit gjatë fushatës zgjedhore dhe rreth vetë zgjedhjeve. Unë do të preferoja që të gjithë votuesit dhe jo vetëm ata që jetojnë në diasporë të kenë mundësinë të hedhin votat e tyre me vota postare. Në këtë situatë pandemike, kjo do të kishte zvogëluar masivisht rrezikun e infektimin, dhe gjithashtu rrezikun e votuesve që potencialisht të dekurajohen të votojnë për arsye shëndetësore”, thotë Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në PE, thotë se përveç situatës shëndetësore, shpreson edhe për një situatë politike sa më të qëndrueshme në Kosovë, nga e cila, sipas saj, mund të dalë një ekip negociues i mbështetur gjerësisht, i cili më pas do të jetë në gjendje të gjejë një marrëveshje të përbashkët me Serbinë.

Von Cramon për zgjedhjet: Kosovarët të vendosin për të ardhmen e tyre

“Mendoj se njerëzit në Kosovë duhet të vendosin për të ardhmen e tyre politike. Ne në PE më pas do të punojmë me rezultatin demokratik. Personalitetet që janë në favor të reformave të brendshme dhe të cilët do të jenë në gjendje të përpiqen për marrëveshje ndërkombëtare janë gjithmonë të dobishme për hapat e mëtejshëm drejt integrimit në BE”, thotë Von Cramon për Sinjalin.

Ajo tutje shton se dialogu i udhëhequr nga BE-ja do të jetë thelbësor për rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

“Shpresoj se mund të shohim progres të konsiderueshëm më 2021 ndërsa kjo do të ishte në interesin e të dy vendeve – Kosovës dhe Serbisë. Pra, duhet të kemi parasysh që çdo hap i vogël përpara nga njëra ose tjetra palë është një hap përpara drejt integrimit në BE. Por duhet t’u kërkojmë të gjitha forcave politike të punojnë së bashku”, u shpreh tutje Von Cramon.

/Gazeta Sinjali/