Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa po zhvillojnë një takim i cili është paraparë të jetë përfundimtar dhe ku do të nënshkruhej koalicioni i shumëpritur ndërmjet dy partive.
Kurti e Mustafa, vetëm pak pasi janë takuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, kanë vendosur që të shkojnë në pauzë për pak kohë, shkruan Gazeta Sinjali.
Asnjëri nga liderët nuk kanë pranuar të flasin, duke thënë se do të kthehen pas gjysmë ore, deri në 40 minuta.
Para takimit, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tha se ndarja e posteve nuk do të jetë problem, pasi siç deklaroi ai, “harmonizimi i programit ka qenë pjesa më e vështirë”.
Parimisht, LVV dhe LDK janë marrë vesh që qeveria e re t’i ketë vetëm 12 ministri. /Gazeta Sinjali/