image Padi kundër grupit kriminal, transportonin heroinë nga Iraku në Kosovë

Kosovë

Drejtësi/ Padi kundër grupit kriminal, transportonin heroinë nga Iraku në Kosovë

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër pesë të pandehurve me inicialet Xh.Sh., S.Sh., I.S., A.G. dhe L.Z për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikeve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe “Mashtrimi”.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit Xh.Sh., S.Sh dhe I.S., shtetas turk, duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar i shtrirë në territorin e disa shteteve Iran, Shqipëri, Kosovë, i përbërë prej shumë anëtarëve, mes tyre edhe të pandehurit  të lartcekur dhe i ndjeri N.C., me dashje dhe për qëllime të ndryshme, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas prokurorisë, të pandehurit në mënyrë të kundërligjshme kanë transportuar substanca narkotike të llojit heroinë, gjatë vitit të kaluar, nga Iraku në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.

Me këto veprime, prokuroria vlerëson se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”.

“Ndërkaq, të pandehurit Xh.Sh dhe I.S. me të kuptuar  se më 19 tetor 2018, në Shqipëri janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që t’-i shmangen arrestimit, kanë paraqitur fakte të rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq, duke përfshirë edhe ekstraktet e lindjes. Me këto veprime secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, thuhet në aktakuzë.

“I pandehuri, A.G. në periudhën kohore tetor – nëntor 2018, me dashje  ju ka ndihmuar në shmangien, zbulimin dhe mos arrestimin e tyre, të pandehurve shtetasve turq, Xh .Sh., I.S. dhe të ndjerit N.C. nga organet e ndjekjes së Shqipërisë dhe Kosovës, dhe bërjen e tyre të pa kapshëm për organet e drejtësisë dhe me qëllim të përfitimit financiar, në mënyrë të kundërligjshme  ju ka ndihmuar në nxjerrjen  e dokumenteve zyrtare (letërnjoftimin dhe pasaportën e RKS-së). Me këto veprime  i pandehuri ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”. Po ashtu, i pandehuri A.G. më 24.12.2018, me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, dhe atë një autorizim, me qëllim shfrytëzimi të këtij dokumenti si origjinal. Me çka ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, thuhet tutje në njoftim.

Kurse, për të pandehurin tjetër L.Z., prokuroria thotë se më 02.12.2018, në Prishtinë, me dashje, me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorin e një auto salloni, me qëllim të përfitimit financiar. Me këto veprime i pandehuri L.Z.  ka kryer veprën penale “Mashtrimi”./Gazeta Sinjali/