image Pacolli s'do që të flitet për postin e presidentit, tregon nëse do të kandidojë vetë

Kosovë

Pacolli s’do që të flitet për postin e presidentit, tregon nëse do të kandidojë vetë

news image

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli vlerëson se është ende herët që të diskutohet për postin e presidentit të vendit.

Pacolli ka thënë se nuk e ka shpallur kandidaturën për president, ndërsa ka theksuar se presidenti Hashim Thaçi ka kompetenca dhe mandat të plotë.

“Unë nuk kam shpallur asnjë kandidaturë për pozitën e presidentit të Republikës dhe asnjë nga komentet e bëra nuk janë bërë nga unë. Unë mendoj se Kosova ka një president që ka kompetenca dhe mandat të plotë kushtetues. Për sa kohë nuk ka ardhur koha për zgjedhjen e presidentit – gjë që do t’i bënte partitë parlamentare të ulen së bashku dhe përmes dialogut dhe konsensusit të arrijnë një marrëveshje për presidentin e ardhshëm – unë nuk mendoj se është realitet të bëhen njoftime për kandidatët presidencialë. Realiteti vjen kur vjen koha për të folur për këtë çështje dhe kur të gjitha partitë politike kanë një dialog për Presidentin. Është ende herët për këtë”, ka thënë ai.

Sipas Pacollit, aktualisht është e panevojshme të flitet për postin e presidentit, duke thënë se ka mjaft kohë deri te momenti kur kjo mund të diskutohet.

“Unë mendoj se ne të gjithë në politikën e Kosovës duhet të presim kohën kur do të vijë për të diskutuar përmes dialogut zgjedhjen e presidentit. Aktualisht kemi një president që po e bën punën e tij dhe nuk i bëjmë nder vendit dhe as institucionit të presidentit nëse fillojmë tani të flasim për zgjedhjen e presidentit, kur kemi mjaft kohë dhe duhet të punojmë në çështje të ngutshme si pandemia, dialogu me Serbinë ose situata ekonomike. Le të punojmë në këto çështje dhe kur të vijë koha le të ndërtojmë konsensus përmes një dialogu shumëpartiak”, është shprehur Pacolli. /Gazeta Sinjali