image Pacolli reagon pas deklaratës së Kurtit për bashkëpunim me Thaçin

Kosovë

Reagim/ Pacolli reagon pas deklaratës së Kurtit për bashkëpunim me Thaçin

news image

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reagur lidhur me deklaratat e sotme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me politikën e jashtme në arenën ndërkombëtare, shkruan Gazeta Sinjali.

Pacolli e ka vlerësuar si të drejtë deklaratën e Kurtit i cili tha se do të koordinohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, në mënyrë që të kemi një politikë të jashtme unike.

Sipas tij, mungesa e harmonizimit të veprimeve në të kaluarën, e ka dëmtuar dhe vështirësuar politikën e jashtme të Kosovës.

“Deklarata e Kryeministrit të Kosovës, për koordinim të politikës së jashtme me akterët kryesorë institucional është shumë e drejtë dhe e nevojshme. Në vitet e kaluara jam përballur drejtëpërsëdrejti me fenomenin e mungesës së harmonizimit të veprimeve dhe deklaratave që e kanë dëmtuar dhe vështirësuar politikën e jashtme të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të bashkëpunojë me presidentin Thaçi duke theksuar se kjo është më e rëndësishme sesa çështja se kush do të marrë postin pas përfundimit të mandatit presidencial.

 “Është urgjente që ne të kemi një politik të jashtme unike në arenën ndërkombëtare. Që mos të vazhdohet sikur këto dy tri vjetët e kaluara. Qeveria e re dhe unë si kryeministër i ri dua të koordinohem edhe me presidentin aktual të vendit në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kokafoni që me siguri do të bëhet e dëmshme. Mendoj që kjo është më e rëndësishmja për shtetin tonë dhe jo kush ku do të jetë pas disa muajsh”, është shprehur Kurti./Gazeta Sinjali/