image Pacollët ia “sillin” Isa Mustafës

Kosovë

Pacollët ia “sillin” Isa Mustafës

news image

Tre burrat e familjes Pacolli, që mbajnë pozita të larta në institucionet shtetërore, Behgjeti, Islami dhe Rrahimi, kanë shpërthyer me urime ndaj Isa Mustafës, menjëherë pasi u rizgjodh kryetar i LDK-së.

Gazeta Sinjali

Në bazë të postimeve në rrjetet sociale, Pacollët kanë filluar vardisjen ndaj liderit të LDK-së, në kohën kur ky po bën thirrje për shkuarjen e vendit në zgjedhje, për çka kanë pajtueshmëri edhe partitë e tjera politike, shkruan Gazeta Sinjali.

Duket se kryediplomati në largim, Behgjet Pacolli, po tenton të rikthejë skenarin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën para dy vitesh në Kosovë.

Në vitin 2017 partia e Isa Mustafës bashkë me të Behgjet Pacollit dhe Mimoza Kusarit-Lilës kishin krijuar koalicionin parazgjedhor LAA, (LDK-AKR-ALTERNATIVA). Ky koalicion nuk doli edhe keq në zgjedhje, u rendit pas Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

Por, kur koalicioni PAN nuk arriti ta formonte Qeverinë “Haradinaj”, Behgjet Pacolli prishi koalicionin LAA për të hyrë në PAN, veprim ky që ia siguroi pozitën e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri: Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli ka qenë politikani i parë që e ka uruar Mustafën për mandatin e tretë në parti. Postimin Pacolli e ka bërë edhe para figurave të larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për shembull, shefi i GP-së në LDK, Avdullah Hoti, tek pas disa orësh ka postuar në Facebook për ngjarjen që rikonfirmoi Mustafën lider të partisë edhe për katër vitet e ardhshme.

Behgjet Pacolli ka shkruar në Facebook:

“Sapo e urova ish kryeministrin e Kosovës z. Isa Mustafa për rizgjedhjen e tij në krye të LDK-së. Uniteti i faktorit politik në vend është shumē i rëndësishëm përballë sfidave madhore që e presin shtetin tonë”.

Pas tij deputeti në largim i AKR-së, Islam Pacolli, ka folur fjalë të mëdha për Mustafën duke theksuar se mandatin e tretë e ka merituar dhe e ka arritur falë angazhimit.

“I nderuari z. Mustafa, Më lejoni te ju uroj për ri zgjedhjen tuaj në postin e të parit të LDK, rizgjedhje kjo e merituar falë angazhimit tuaj dhe besimit të fituar me punë ndër vite e angazhim serioz çdo herë në të mirën e politikës së vendit”, ka shkruar Islam Pacolli në Facebook.

Nuk vonoi shumë dhe urimit të Pacollëve iu shtua edhe ish- sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli, i cili shkruan se kontributi politik dhe konstruktiv i secilës parti është në të mirë të Kosovës.

“Zotit Isa Mustafa i uroj zgjedhjen e sërishme në krye të Lidhjes Demokratike. Kontributi politik konstruktiv i secilës parti në të mirë të Kosovës është gjithmonë i mirëseardhur”, ka shkruar Rrahim Pacolli në FB.

Ndryshe, pas rizgjedhjes në postin e kryetarit Isa Mustafa ka thënë se është koha që LDK të arrijë fitore të madhe në zgjedhjet e reja parlamentare./Sinjali/