Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç kanë nënshkruar një deklaratë në Ohër me një listë të përparësive dhe masave për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal, shkruajnë mediat maqedonase.
Takimi trepalësh i parapriu takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet sot.
Kjo deklaratë me një listë të përparësive dhe masave vjen pas takimit të tyre të mëparshëm të përbashkët në Novi Sad.
Në thelb të deklaratës është bashkëpunimi, angazhimi i përbashkët dhe eleminimi i të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si një kontribut për qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit në arritjen e një qëllimi të përbashkët përfundimtar – anëtarësimin e plotë në BE.
“Angazhimi për intensifikimin e bashkëpunimit në bazë të një deklarate të miratuar bashkërisht pritet në pikat e kalimit kufitar, përveç kontrolleve të përbashkëta doganore, do të ketë bashkëpunim të përbashkët për kontrollet fitosanitare, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve në të tre vendet vetëm me kartat e identitetit” thuhet në deklaratën e zyrës për shtyp të Zaev.
“Deklarata shpall mundësinë e tregut të hapur dhe qasje në iniciativat e biznesit në të gjithë rajonin, pavarësisht se ku janë vendosur ndërmarrjet, krijimin e vendeve të reja të punës dhe inkurajimin e potencialit të përgjithshëm të rritjes. Kjo iniciativë hap mundësi të mëdha për të rinjtë të lidhen me reputacionin e modelit evropian të zbatimit të standardeve të BE-së me synimin e përparimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe transformimit të përgjithshëm demokratik “, thuhet më tej në deklaratë.
Sot do të mbahet takimi i drejtuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, pas të cilit do të ketë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk po merr pjesë në këto takime për arsye se siç ka thënë në Samitin e Parë, Kosova ishte anashkaluar qëllimshëm nga Serbia, si dhe këtë takim e cilëson si të pakuptimtë pasiqë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin Kosovën./ Gazeta Sinjali/