Një pako me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale mëngjesin e sotëm ka arritur në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë. Deri më tani, nuk dihet kush e solli, por sipas anëtarëve të kësaj organizate, ky material dëshmon se Specialja është politike.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se në orën 09:15 ka arritur një pako me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale.
“Sot në ora 09:15 të mëngjesit ka ardhur një paketë në Organizatën e Veteranëve që nuk e dimë se kush e ka sjellë. Ka ardhur në korridorin tonë. Këto materiale para jush janë diku afër 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale”, tha Gucati.
Më shumë detaje rreth këtyre dosjeve ka dhënë nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili tha se në këto materiale dëshmohet se deputetët dhe Qeveria që e votoi Gjykatën Speciale ka rënë pre e aparatit serb. Madje deputetët që e votuan këtë gjykatë i ka quajtur edhe faqezi.
“Të legjitimosh, të arsyetosh një gjykatë qoftë edhe me emër ndërkombëtar që fatkeqësisht do ta shihni këtu që kanë rënë pre dhe karrem i vetë Serbisë, sidomos i njerëzve të aparatit shtetëror të Millosheviqit kanë dëmtuar Kosovën dhe po vazhdojnë ta dëmtojnë”, tha ai.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së tha se edhe faktori ndërkombëtar ka rënë pre e gjykatave të aparatit shtetëror të Sllobodan Millosheviqit.
Haradinaj theksoi se këto dosje të pranuara do t’i dorëzojnë edhe në Prokurorinë Speciale dhe po ashtu do të ua dorëzojnë nga një kopje të gjithë deputetëve që e votuan Gjykatën Speciale.
Për Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, Gjykata Speciale është inekzistente, pasi sipas tyre tani edhe ashtu i ka kaluar mandati. /GazetaSinjali/