image OVL-UÇK e quan kidnapim arrestimin e Sali Mustafës: Presim deputetët të na tregojnë ku është

Kosovë

OVL-UÇK e quan kidnapim arrestimin e Sali Mustafës: Presim deputetët të na tregojnë ku është

news image

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, e ka quajtur kidnapim arrestimin e Sali Mustafës nga policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, raporton Gazeta Sinjali.

Haradinaj po i lë fajtor deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët votuan për themelimin e Gjykatës Speciale dhe thotë se ata duhet të tregojnë se ku ndodhet Mustafa.

“Ne e gjykojmë vendimin e deputetëve për formimin e kësaj gjykate dhe që lejuan që të tjerët ta thyej Kushtetutën e shtetit dhe ta marrin qytetarin pa pyet shtetin dhe pa dijeninë e shtetit. Pra thjeshtë është një kidnapim i qytetarëve që po bëhet. Presim prej tyre të na tregojnë ku e kemi qytetarin. Shteti ynë injorohet total, policia injorohet total, kushtetutat që është për mbrojtjen e të drejtave të njeriu injorohet. Kështu që, nuk kemi asgjë në dorë dhe kjo e zhbën shtetësinë e Kosovës, konkretisht aparatin shtetërore të Kosovës” tha Haradinaj në një prononcim për Gazetën Sinjali.

Nënkryetari i OVL- UÇK-së mohoi të kenë pasur njohuri për arrestimin e parë të Gjykatës Speciale, i cili sipas tij është bërë me të dhënat e Serbisë.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se nuk kanë informacione për arrestimet e tjera që mund të ndodhin.

“Jo nuk kemi pasur informacione për një arrestim të tillë dhe nuk kemi njohuri për arrestimet që do të ndodhin në vazhdim. E gjitha çfarë dimë është që këto arrestime po kryhen në bazë të të dhënave të Serbisë dhe organeve shtetërore të Millosheviçit, të cilat kanë kryer vetë masakra gjatë kohës së luftës”, përfundoi Haradinaj.

Ndryshe, Sali Mustafa është i arrestuari i parë nga kjo Gjykatë. Ai ishte epror i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit./Gaztea Sinjali/