image OVL e UÇK-së kërkon më shumë para për shkak të Gjykatës Speciale: 2 milionë eurot janë duke u shpenzuar

Kosovë

Drejtësi/ OVL e UÇK-së kërkon më shumë para për shkak të Gjykatës Speciale: 2 milionë eurot janë duke u shpenzuar

news image

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë të Holandës tashmë kanë nisur një fazë të re.

Prokurori Special tashmë ka ngritur aktakuzat e para, të cilat pritet të bëhen publike vetëm pasi të konfirmohen.

Me fillimin e kësaj faze të re, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mungesën e buxhetit për mbulimin e shpenzimeve të të akuzuarve nga kjo Gjykatë.

Gucati ka thënë se 2 milionë euro të cilat i ka ndarë qeveria, nuk i mbulojnë as 10 për qind të shpenzimeve, duke shtuar se ato mjete financiare tashmë kanë filluar të shpenzohen.

Ai ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të jetë e përgatitur për këtë sfidë që e pret.

“Është një kosto shumë e madhe. Për momentin e dimë qeveria i ka ndarë 2 milionë e diçka – që do të thotë se ato dy milionë nuk përmbushin as 10 për qind të atyre shpenzimeve. Ato veç kanë filluar të shpenzohen sepse unë e di se janë paguar disa mjete, disa avokatë janë paguar deri më tash. Kështu që unë i kisha bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të merr seriozisht këtë punë, të merren me këta shokë tanë, kushdo që shkon atje, të jetë e përgatitur për sfidën që e pret, sepse kjo është sfidë për qeverinë tonë. Qeveria e Kosovës duhet të jetë e përgatitur shumë për këta shokë tanë që do të shkojnë atje”, ka thënë Gucati për KP.

Në mars të vitit 2017, Qeveria e Kosovës ndau mjete nga buxheti, për t’i ofruar ndihmë juridike dhe financiare personave që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Këto mjete ishin ndarë në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale.

Sipas këtij ligji, të gjithë personat që mund të akuzohen kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur.

Përveç kësaj mbështetjeje financiare, ligji i siguron edhe anëtarët e ngushtë të familjes të personave të akuzuar për krimet e pretenduara, përfshirë këtu edhe shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës.