Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa sot e njëjta ka kryer vizitat e saj në bazën ushtarake të shtetit të Iowa-s në ShBA.
Siç njoftoi Osmani, së bashku me delegacionin në helikopterin e ushtrisë amerikane janë nisur drejt kampit ushtarak, Camp Dodge.
“Qëndrimin në Iowa e fillova me vizitë në Camp Dodge. Garda Kombëtare e Iowa-s ka luajtur rol kyç përgjatë viteve në rritjen e kapacitetit dhe aftësive të forcave tona të sigurisë. Jemi këtu për ta zgjeruar partneritetin me shtetin simotër dhe të forcojmë tutje lidhjet tona të pathyeshme me ShBA-të”, shkroi Osmani në platformën “X”.
Pamje publikoi edhe konsulli i Kosovës në IOWA, Artan Duraku.
“Vjosa Osmani me delegacionin po lëviz me 🚁 drejt Camp Dodge”, ka shkruar Duraku, krahas pamjeve të publikuara.
Presidentja Osmani po qëndron në ShBA që nga dje ku ka marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ajo ka diskutuar për gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.