image Osmani takon drejtuesit e institucioneve të sigurisë, kjo është kërkesa e saj për situatën në veri - Sinjali

Osmani takon drejtuesit e institucioneve të sigurisë, kjo është kërkesa e saj për situatën në veri

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar takime me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë, Samedin Mehmetin, drejtorin e AKI-së, Petrit Ajetin, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn, shefin e Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.

Nga Presidenca njoftojnë se temë diskutimi e këtyre takimeve ka qenë situata aktuale në veri të Kosovës.

Osmani citohet të ketë thënë se Kosova nuk është duke provokuar situatën e sigurisë, përveçse është duke zbatuar ligjin. Ndërkaq, ajo ka bërë të ditur se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Ajo ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, e cila po dëshmon profesionalizëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se Serbia është burim i destabilizimit në rajon, duke ftuar bashkësinë ndërkombëtare t`’i kundërvihet përpjekjes së tillë, sikurse edhe diskursit nxitës, i cili burimin nuk e ka vetëm në Serbi, por edhe në Rusi”, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentes./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin