Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, të cilin e uroi për detyrën.
Osmani i ka shprehur falënderimin gjeneralmajorit Michele Ristuccia për kontributin e forcave shumëkombëshe të NATO-s për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.
Përmes një komunikate, presidenca ka bërë të ditur se Osmani gjithashtu ka përmendur bashkëpunimin në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e vendit tonë për anëtarësim në NATO.
Tutje, bëhet e ditur se Ristuccia ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe konsultimeve të rregullta në kuadër të mandatit që ka KFOR-i në Kosovë.