Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me John Kerryn, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish Sekretar i Shtetit.
Osmani në këtë takim ka falënderuar Kerryn për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj të ecë përpara. Po ashtu, Osmani dhe Kerry diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe përmendi përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas.
Ajo theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon.
Ndërsa, ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku ka potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.
“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike” ka thënë Osmani.