image Osmani për gazetën austriake: Serbia ka tentuar ta bllokojë dialogun me Kosovën

Politikë

Osmani për gazetën austriake: Serbia ka tentuar ta bllokojë dialogun me Kosovën

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimin në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për gazetën austriake “Wiener Zeitung”, Osmani tha se Kosova ka shënuar progres në disa drejtime, derisa, sipas saj, Serbia ka tentuar ta bllokojë procesin e negociatave.

“Serbia nuk kishte përgatitur asgjë dhe nuk bëri asnjë propozim, ndonëse diçka e tillë është e nevojshme nëse duhet të ketë ndonjë përparim. Në anën tjetër, Kosova ka bërë disa propozime të reja, për shembull mbi marrëdhëniet tregtare rajonale, të drejtat e pakicave ose çështjen e personave të zhdukur. Serbia me sa duket ka refuzuar gjithçka”.

E para e shtetit të Kosovës foli edhe për bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave nga Franca dhe Holanda.

Osmani tha se frika e tyre për emigrantët nga Kosova nuk ka bazë dhe është e paarsyeshme.

“Është shqetësim i paarsyeshëm. Pati probleme më 2014/2015 kur shumë njerëz donin të hynin në BE dhe të qëndronin atje. Por numri i tyre ka rënë në mënyrë dramatike. Kosova nuk është më në listën e 40 vendeve nga të cilat vijnë shumë emigrantë”.

Vjosa Osmani shtoi se ngecja e Bashkimit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave e humb besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës te ky union.

Me ndëshkimin që BE po ua bën kosovarëve, Osmani tha se ata ndihen sikur janë në një geto politike.

“BE nuk po i mban premtimet e saj dhe po dobëson besueshmërinë e saj. Disa shtete anëtare hezitojnë për arsye të politikës së brendshme. Por, kjo nuk është arsye për të ndëshkuar kosovarët që ndihen sikur janë në një geto politike”./Gazeta Sinjali/