image Osmani pritet në takim nga presidenti gjerman

Politikë

Osmani pritet në takim nga presidenti gjerman

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, raporton Gazeta Sinjali.

Ajo ka publikuar një fotografi nga kjo pritje e “ngrohtë”.

“Faleminderit President Steinmeier për mikpritjen e ngrohtë. Miqësia mes dy shteteve tona është e përhershme”, shkroi ajo mbi këtë fotografi.

Për presidentin gjerman, i cili është në detyrë që prej vitit 2017, është hera e parë që pret në rezidencën e tij një president ose presidente nga Kosova.

Dy paraardhësit e tij, Horst Köhler, dhe Joachim Gauck, kanë pritur në vitet 2010 përkatësisht 2013, presidentin Fatmir Sejdiu dhe presidenten Ahtifete Jahjaga. Vetëm Hashim Thaçi, nuk u prit kurrë nga ndonjë president i Gjermanisë zyrtarisht si homolog.

Biseda mes Osmanit dhe Steinmeierit pritet të jetë miqësore, edhe për faktin, që presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, e njeh mirë Kosovën dhe rajonin, pasi ka qenë një nga lobuesit e palodhshëm për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj, pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Steinmeier atëherë ishte ministër i Jashtëm në qeverinë Merkel I dhe ka qenë i pranishëm edhe në varrimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në fillim të vitit 2006. Para se të fillonte detyrën si ministër i Jashtëm, ai ka qenë shef i kabinetit të ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder.

Osmani do të qëndrojë deri të enjten në Berlin, ndërkaq në fundjavë do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, saktësisht në New York, për mbledhjen e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./Gazeta Sinjali/