Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka folur rreth çështjes së vendosjes së Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin e Izraelit, në Jerusalem, shkruan Gazeta Sinjali.
Osmani u shpreh se vendosja e Ambasadës së Kosovës atje do të bëhet në diskutim me Administratën e SHBA-së.
Ajo tha se në marrëveshjen e nënshkruar në Washington mes Kosovës dhe Serbisë, nuk thuhet se Kosova dhe Izraeli pajtohen për njohjen reciproke si dhe nuk përmendet fare Jerusalemi.
“Ne e kemi diskutuar në detaje këtë çështje. Marrëveshja në pikën e saj të fundit thotë që Kosova dhe Izraeli pajtohen të bëjnë njohje reciproke. Pikë. Askund nuk përmendet Jerusalemi”, është shprehur Osmani në TV Dukagjini.
Sipas saj, sapo të formohet qeveria, çdo pikë e asaj marrëveshje do të rishqyrtohet bashkë me Administratën Biden.
“Ne që të dy e kemi përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, por ajo që do të bëjmë në tërësi për këtë marrëveshje, nga pika e parë deri tek e fundit, është se do të insistojmë që të ulemi menjëherë urgjentisht pas krijimit të qeverisë me presidentin Biden dhe administratën e tij të re të, në mënyrë që të rishikojmë secilën pikë dhe të shohim cili është përkushtimi i tyre”, ka thënë Osmani./Gazeta Sinjali/