Kandidatja për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka pasur ndonjë kërkesë në lidhje me deputetët e Listës “Guxo”, shkruan Gazeta Sinjali.
Në takimin e sotëm me Abdixhikun dhe nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, Osmani tha se është diskutuar vetëm platforma e saj për presidente.
“Sa i përket deputetëve të Listës Guxo nuk ka pasur asnjë kërkesë të vetme nga Abdixhiku. Deputetët i nënshtrohen mandatit të lirë dhe përgjigjen vetëm para qytetarëve dhe këta deputetë që të gjithë kanë marrë një mandat të qartë brenda një liste të caktuar, e kanë marrë një mandat për ndryshim pozitiv në vendin tonë, kurse qartësimet që janë kërkuar kanë qenë në raport me presidenten e jo në raport me deputetët“, tha ajo.
“Qartësimi që është kërkuar ishte kryesisht në frymën kushtetuese, pra nëse presidentja e ardhshme do të jetë presidente e të gjithëve, do t’i trajtoj si të barabartë të gjithë deputetët e Kuvendit, gjitha partitë politike dhe natyrisht unë këtë garancë e jap jo vetëm pse ma kërkon Kushtetuta, por sepse e kam edhe intencë, sepse e kam edhe qëllim dhe pikërisht kjo do të ndodh, pra të gjitha partitë politike do të trajtohen barabartë”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se për t’u zgjedhur presidente pret edhe mbështetjen e ish-bashkëpartiakëve të saj dhe të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
“Natyrisht që unë pres mbështetje prej ish-kolegëve të mi, por edhe prej të gjithë deputetëve të Kosovës. Është në interes të vendit tonë që të bëjmë konstituimin e institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të tria institucionet të jenë funksionale dhe jam e bindur që të gjithë e kemi qëllimin e përbashkët e ai është që të çojmë Kosovën përpara”, tha ajo.
Osmani beson se seanca për presidentin do të mbahet shumë shpejtë sapo të përfundojnë procedurat për zëvendësimin e deputetëve të cilët kanë marrë poste ministrore.
“Sa i përket datës për mbajtjen e seancës ne po presim që edhe formalisht të zëvendësohen deputetët. E di që sot KQZ-ja ka mbajtur mbledhje, por janë edhe disa procedura tjera që duhet të kalohen nga Presidenca në Kuvend e tutje, pra në momentin kur njoftohemi që këto kushte procedura janë plotësuar do të ulemi me subjektet politike për të parë nëse mund të ecim përpara me seancën, por siç e thashë është çështje ditës”, tha ajo.
Osmani dhe Abdixhiku do të zhvillojnë edhe një takim tjetër gjatë ditëve në vijim./Gazeta Sinjali/