Vjosa Osmani presidente e Kosovës në detyrë edhe njëherë e ka konfirmuar se nuk do të kthehet më në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Jam deklaruar disa herë për këtë çështje dhe nuk dua të hyj në këtë temë. Një derë e cila gozhdohet, nuk është që mund të hapet”, ka thënë Osmani për dw.
Ditë më parë, Osmani e kishte konfirmuar krijimin e një partie të re dhe se ekipi i saj do të përbëhet nga emra me integritet të cilët sipas saj nuk i shohim shpesh në televizion.
“Do të nisë një iniciativë qytetare, me fytyra të reja. Do të jetë një dritare e vogël, por do të hyjë shumë dritë. Do të jetë një listë e njerëzve profesionistë, jo riciklime të fytyrave politike”, kishte thënë Osmani.
Osmani është përjashtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas kritikave të saj publike ndaj partisë së saj dhe pasi nuk e votoi qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja./Gazeta Sinjali/