image Osmani: Nuk është momenti që të vazhdohet dialogu me Serbinë

Politikë

Osmani: Nuk është momenti që të vazhdohet dialogu me Serbinë

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk është momenti që të vazhdohet dialogu me Serbinë, raporton Gazeta Sinjali.

Osmani gjithashtu ka thënë se këtë kërkesë e ka pasur edhe AAK-ja në ditën kur është konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson. Unë do të jap kontributin tim maksimal në këtë drejtim, që të diskutojmë së bashku me të gjithë, lidhur me atë se cilat do të duhet të ishin qëndrimet e Kosovës”, ka thënë Osmani për deutsche welle.

Ndryshe Presidenti i dorëhequr, Hashim Thaçi me 5 nëntor ka udhëtuar drejt Hagës, kurse para Gjykatës Speciale ka dalë me 9 nëntor ku edhe është deklaruar i pafajshëm./Gazeta Sinjali/