image Osmani: Një rezolutë e miratuar nga Kuvendi është kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Politikë

Osmani: Një rezolutë e miratuar nga Kuvendi është kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

news image

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se ekziston një rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës që është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ndryshe Osmani ka rikujtuar se në vitin 2012 Kuvendi ka miratuar rezolutën kundër mbajtjes së zgjedhje të Serbisë në Kosovë, duke e vlerësuar kundër Kushtetutës.

“Në vitin 2012 Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke vlerësuar që është shkelje e Kushtetutës, ligjeve në Kosovë, si dhe praktikave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo rezolutë i pati marrë 76 vota në vitin 2012, pra ka marrë vota edhe nga pushteti i atëhershëm dhe opozita”.

Tutje, Osmani tha se që nga atëherë janë mbajtur zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

“Për fat të keq që nga atëherë janë mbajtur zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Por, fakti që janë mbajtur nuk i bën as të ligjshme dhe as në përputhje me Kushtetutën dhe praktikat ndërkombëtare”.

Kryeparlamentarja i ka reaguar kryeministrit Avdullah Hoti i cili tha se zgjedhjet janë organizuar nga OSBE-ja.

Ajo ka thënë se një gjë e tillë është shkelje kushtetuese për shkak që delegimi i kësaj detyre nuk është ratifikuar paraprakisht në Kuvend.

“Nëse përmendet OSBE-ja, si organizatë ndërkombëtare që e merr përsipër një detyrë të tillë, ju e dini që me Kushtetutën tonë delegimi i detyrave sovrane të institucioneve tona në raport me një organizatë ndërkombëtare mund të bëhet vetëm me ratifikim nga ky kuvend. Ka pasë raste kur në të kaluarën është deleguar ndonjë kompetencë e institucioneve të Kosovës tek organizmat ndërkombëtarë, por kurrë pa i marrë 80 vota në këtë Kuvend. Të delegohet sovraniteti tek OSBE-ja, me gjithë dashamirësinë për këtë organizatë, pa ratifikim në Kuvend nuk është në përputhje me Kushtetutën”, tha Osmani. /Gazeta Sinjali/