image Osmani: Ne dhe vetëm ne po ua mohojmë personave me aftësi të kufizuar mundësinë për punësim dhe arsim

Kosovë

Osmani: Ne dhe vetëm ne po ua mohojmë personave me aftësi të kufizuar mundësinë për punësim dhe arsim

news image

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani gjatë seancës së mbajtur për personat me aftësi të kufizuara, është shprehur se shteti i Kosovës ka bërë pak që këtyre personave t’iu sigurojë një jetë të dinjitetshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Osmani theksoi sfidat me të cilat ballafaqohen këta persona, janë reflektim i dëshmimit tonë si shoqëri.

“Kjo është një ditë për të reflektuar në atë se sa punë kemi bërë ne si Kuvend dhe sa i ka zbatuar ekzekutivi ato që i kemi votuar ne. Kemi bërë fare pak për tu garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë”, tha Osmani.

Ajo shtoi tutje se edhe problemet e lindura gjatë pandemisë po i prekin edhe personat me nevoja të veçanta.

“Kosova ende nuk e ka marrë mundin që të identifikoj numrin e këtyre personave. Pa statistika nuk mund të ketë politika të mirëfillta. Është e pafalshme që përafërsisht vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara vijojnë mësimin në shkollat publike e diku 90% kanë mbetur jashtë shkollave”, tha Osmani.

Ajo u shpreh se atyre po ua mohojmë të drejtën për arsim, punësim e jetë të dinjitetshme.

“Ne dhe vetëm ne po ua mohojmë atyre mundësinë për punësim, arsim. Është e pafalshme që ata edhe pse vijojnë mësim në shkolla vazhdojnë të jenë të kufizuar në hapësira për shkak të mungesës së ndonjë lifti apo pjerrtësinë që ata të mund të lëvizin brenda hapësirave shkollore”, tha ajo.

/Gazeta Sinjali/