Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim mirëseardhës ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier.
Osmani tha se Hovenier është shumë i afërt me Kosovën, pasi sipas Osmanit, ai ka shërbyer në Kosovë dhe i kupton shumë mirë dinamikat e Kosovës.
“Në një kohë kaq të rëndësishme për të dy vendet tona, si në rrafshin individual e edhe atë bilateral është kënaqësi që të mirëpres një person si ambasadori Hovenier, i cili është shumë i afërt me Kosovën, sepse ka shërbyer këtu dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë”, tha Osmani në konferencë për media.
Më tej, ajo shtoi se Kosova tani është ndryshe ngaqë e kujton ambasadori Hovenier, por ajo që ka s’ka ndryshuar, sipas saj, është miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar t’i kemi SHBA-të pran nesh, në çdo hap të rrugëtimit tonë. Roli i ambasadorit të ShBA-së në Kosovë është thelbësor për të garantuar që marrëdhënia jonë do të vazhdoj të lulëzoj”, ka thënë Osmani.
Tutje, Osmani tha se shpreson në forcimin e marrëdhënieve me ShBA-të, teksa tha se Amerika nuk do të gjejë asnjëherë aleat më të përkushtuar e më besnik se Kosova.
“Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit, shpresoj të forcojmë marrëdhëniet tona, por edhe të shtyjmë përpara në rajon e në rrafshin ndërkombëtar idealet e vlerat demokratike që ne besojmë bashkërisht. Nuk do të gjeni asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe më besnik se sa Kosova”, ka thënë Osmani./GazetaSinjali/